Kalo te përmbajtja
E enjte, 22 Tetor, 2026
LAJMI I FUNDIT
Fokus

Banka Botërore: Emigracioni dhe plakja e popullsisë frenojnë rritjen e Shqipërisë

Varfëria pritet të bjerë në 21.6% këtë vit, por tregu i punës jep shenja dobësimi.

Nga admin 13 Tetor, 202613.10.2026, 07:40
Banka Botërore: Emigracioni dhe plakja e popullsisë frenojnë rritjen e Shqipërisë

Në përmbledhjen më të fundit për varfërinë dhe barazinë, të publikuar më 9 tetor, Banka Botërore vlerëson se emigracioni, plakja e popullsisë dhe mospërputhja e aftësive me nevojat e bizneseve po kufizojnë fuqinë punëtore dhe rritjen e produktivitetit në Shqipëri.

Në tremujorin e parë të 2026-s, pjesëmarrja në forcën e punës për moshat 15–64 vjeç ra në 76.2%, me 0.5 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Punësimi për moshat mbi 15 vjeç zbriti në 58%, ndërsa papunësia mbeti 8.4%. Gratë dhe të rinjtë kanë nivele dukshëm më të ulëta punësimi.

Sipas institucionit, mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund ta rrisë PBB-në për frymë me rreth 12% në afat të gjatë.

Varfëria, e matur me pragun ndërkombëtar prej 8.30 dollarësh në ditë për person, vlerësohet të ketë rënë nga 25% në 2024 në 23.1% në 2025, dhe parashikohet 21.6% për këtë vit. Banka Botërore paralajmëron se këto janë vlerësime statistikore, sepse anketa e fundit e të ardhurave të familjeve është e vitit 2018.