Operatori i ri celular në Maqedoninë e Veriut do të lidhet direkt me Starlink
Kompania hungareze 4iG duhet të mbulojë të paktën një qytet deri në mars 2027; zgjodhi Shkupin.

Operatori i ri celular që pritet të hyjë në tregun e Maqedonisë së Veriut do të përdorë rrjetin satelitor Starlink të Elon Musk, njoftoi ministri Aleksandar Nikolloski.
Sipas tij, kompania hungareze e telekomunikacionit 4iG ka njoftuar një partneritet strategjik. Aktualisht ajo përdor antena me qira, por pas fazës së testimit lidhja do të kalojë drejtpërdrejt përmes satelitëve.
Nikolloski tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, bashkë me Ukrainën, do të jenë ndër vendet e para ku Starlink përdoret direkt për shërbime celulare dhe interneti. Ai sqaroi se marrëveshja ka natyrë tregtare.
Operatori duhet të mbulojë të paktën një qytet deri në mars 2027 dhe ka zgjedhur Shkupin. Ministri shprehu pritshmëri se konkurrenca e re do të sjellë ulje çmimesh.




