Ndihma ekonomike shkon te 21% më pak familje se tre vite më parë
Përfitimi mesatar mbeti 7,253 lekë në muaj, ndërsa fondi ra nga 4.8 në 3.8 miliardë lekë.

Numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike ra nga 55,410 në vitin 2023 në 43,648 në 2025, një rënie prej 21%, sipas të dhënave të INSTAT.
Në të njëjtën përmasë u tkurr edhe fondi i skemës, nga 4.8 miliardë lekë në 3.8 miliardë. Masa mujore për familje mbeti pothuajse e njëjtë, rreth 7,253 lekë, çka tregon se kursimi erdhi nga numri më i vogël i përfituesve, jo nga ulja e pagesës.
Shqipëria nuk ka një prag zyrtar kombëtar të varfërisë. Banka Botërore, për vendet me të ardhura të mesme të larta, përdor pragun prej 8.30 dollarësh në ditë për person, rreth 249 dollarë në muaj. Kritikët e skemës thonë se ndihma mesatare nuk mbulon as faturat mujore të ujit dhe të energjisë.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë rekomanduar vazhdimisht Shqipërisë forcimin e mbrojtjes sociale dhe një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve nga rritja ekonomike.




