Debat në Kuvend për sigurinë e ushqimit: Mish me salmonelë dhe bllokim importesh nga Brazili
Ministri Salla njoftoi se nga 1 janari industria e qumështit duhet të deklarojë të gjithë përbërësit në etiketë.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, u përgjigj në Kuvend për standardet e ushqimit, pas kërkesave të përsëritura të opozitës. Ai njoftoi se Shqipëria po bllokon importin e mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili, ndërsa mishi i derrit do të vazhdojë të importohet me kontroll për çdo lot.
Deputeti i opozitës Xhelal Mziu pretendoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjetur 14.8 ton mish pule dhe derri me salmonelë. Drejtuesja e AKU-së, Blerina Gjylameti, tha se në vitin 2025 janë importuar 27 ton mish problematik, nga të cilët 13.8 ton u bllokuan dhe u asgjësuan.
Ajo shpjegoi se mostrat merren sipas planit dhe nivelit të rrezikut, dhe se një lot nuk mund të bllokohet pa analiza paraprake. Disa nga sqarimet e saj për llojet e kontaminimit u kundërshtuan nga deputetët dhe ekspertët veterinerë.
Komisioni ngriti edhe çështjen e qumështit pluhur në produktet e bulmetit, që shpesh nuk deklarohet. Salla tha se nga 1 janari industria duhet të zbatojë rregullat e reja të etiketimit, përndryshe rrezikon masa deri në heqjen e licencës.



