Tatimet: 453 milionë euro detyrime të fshira, mbi 220 mijë tatimpagues përfitues
Përfitimi nga ligji i faljes ndryshon sipas periudhës së borxhit dhe kushteve të pagesës. Principalet e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falen

Rreth 453 milionë euro detyrime tatimore janë fshirë ose shuar në zbatim të ligjit të faljes, ndërsa numri i përfituesve ka arritur në rreth 220,4 mijë tatimpagues. Sipas të dhënave të bëra publike nga Administrata Tatimore, kjo shumë përfaqëson bilancin e deritanishëm të procesit dhe jo detyrime të falura vetëm gjatë ditës së sotme.

Përfitimi nuk është i njëjtë për të gjitha kategoritë. Trajtimi i borxhit varet nga periudha kur është krijuar, natyra e detyrimit dhe përmbushja e kushteve ligjore.
Kush përfiton nga fshirja e detyrimeve
Për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2014, ligji parashikon fshirjen e detyrimeve të papaguara, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, sipas kushteve dhe përjashtimeve përkatëse. Nga falja përjashtohet principali i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019, skema parashikon shuarjen e 25% të principalit nëse tatimpaguesi paguan pjesën tjetër prej 75% brenda 31 dhjetorit 2026. Me përmbushjen e kushteve përkatëse fshihen edhe gjobat dhe kamatëvonesat.
Ndërsa për detyrimet e viteve 2020–2024, përfitimi përfshin fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që principali të paguhet i plotë brenda fundit të vitit 2026.
Çfarë duhet të kontrollojnë tatimpaguesit
Administrata Tatimore sqaron se tepricat kreditore përdoren fillimisht për kompensimin e detyrimeve ekzistuese dhe më pas zbatohen efektet e faljes.
Për detyrimet në proces ankimi ose gjykimi, përfitimi lidhet me statusin e çështjes dhe kushtet ligjore për heqjen dorë nga ankimi apo padia. Rastet me vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të administratës tatimore ose doganore i nënshtrohen përjashtimeve të parashikuara në ligj.
Edhe heqja e masave shtrënguese kërkon përfundimin e verifikimit administrativ dhe pasqyrimin e fshirjes në sistemin tatimor. Tatimpaguesit duhet të kontrollojnë situatën individuale dhe njoftimet në e-Filing për të përcaktuar detyrimet që përfitojnë dhe pagesat që mbeten për t’u kryer.




