Pse po proteston rinia në gjithë Europën: Arsimi, qiratë dhe kostoja e jetesës
Nga Franca te Spanja, Portugalia dhe Italia, shkaqet e përbashkëta janë ekonomike.

Në disa vende evropiane, të rinjtë dhe qytetarët kanë dalë në protesta kundër gjendjes së arsimit, kostos së jetesës dhe krizës së strehimit. Disa nga protestat nisën paqësisht, por përfunduan me përplasje dhe dëme.
Në Francë, nxënësit protestuan për mungesën e mësuesve dhe kushtet në shkolla, dhe iu bashkuan qytetarë të pakënaqur me çmimet e karburanteve. Qeveria njoftoi punësimin e 3 mijë mësuesve zëvendësues.
Në Spanjë, në qendër është kriza e strehimit. Zemërimi u rrit pas rastit të një 87-vjeçareje që u dëbua nga banesa kur pronari, një fond investimi, ia rriti qiranë me 230%. Aktivistët paralajmërojnë grevë të përgjithshme më 11 nëntor. Në Portugali, çmimet e banesave u dyfishuan mes viteve 2015 dhe 2024.
Në Itali, protestat u kthyen në trazira në Milano, Torino dhe Bolonjë, dhe qeveria po shqyrton dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në Milano. Edhe në Shqipëri, protestuesit përmendin papunësinë, arsimin dhe koston e jetesës mes arsyeve të pakënaqësisë.




