OKB dhe raportuesi i PE-së: Dialog dhe ndalim i menjëhershëm i përshkallëzimit
Thirrjet ndërkombëtare u drejtohen si protestuesve, ashtu edhe autoriteteve.

Kombet e Bashkuara në Shqipëri bënë një thirrje të re për dialog konstruktiv me qëllim uljen e tensioneve. OKB theksoi se dhuna dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme, ndërsa tubimi paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen garantuar.
Misioni i OKB-së kërkoi gjithashtu që ndërhyrjet e Policisë të jenë proporcionale dhe që çdo i ndaluar të ketë një proces të rregullt ligjor.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, u bëri thirrje të dyja palëve të ndalojnë menjëherë çdo veprim që e përkeqëson situatën. Sipas tij, dhuna nuk sjell ndryshim, pavarësisht nëse vjen nga turma apo nga institucionet. Ai shprehu mbështetje për të rinjtë që kërkojnë arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta.




