Ambasada e Zvicrës: Forcat e sigurisë të veprojnë sipas standardeve ndërkombëtare
Diplomatët zviceranë dënojnë dhunën dhe kërkojnë mbrojtjen e tubimit paqësor dhe të lirisë së medias.

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri u shpreh e shqetësuar për dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë protestave të ditëve të fundit.
Në një deklaratë, ambasada u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.
Diplomatët zviceranë theksuan se e drejta për tubim paqësor është thelbësore në një shoqëri demokratike dhe u kërkuan autoriteteve ta garantojnë plotësisht atë, bashkë me lirinë e medias.
Ambasada kërkoi gjithashtu që forcat e sigurisë të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Reagimi i bashkohet atyre të Komisionit Europian dhe të përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë.




