Pensionistët që punojnë paguajnë kontribute: Qeveria shqyrton t’ua kthejë në pension
Përjashtimi nga sigurimet u rrëzua në komision, por reforma e re mund të sjellë rillogaritje ose pagesë shtesë.

Mbi 164 mijë persona mbi 64 vjeç janë të punësuar në Shqipëri, dhe shumica e tyre vazhdojnë të paguajnë sigurime shoqërore edhe pasi kanë marrë pensionin. Çështja u diskutua në Komisionin për Bujqësinë në Kuvend.
Deputeti i opozitës Igli Cara propozoi që pensionistët e punësuar të përjashtohen nga kontributet, duke e quajtur detyrimin një barrë të padrejtë. Propozimi u rrëzua.
Zëvendësministrja e Ekonomisë sqaroi se skema mbështetet te parimi kontributiv, jo te mosha, dhe se këto pagesa financojnë edhe pensionet e sotme. Megjithatë, sipas saj, reforma e re e pensioneve që po përgatitet me Bankën Botërore shqyrton dy mundësi: rillogaritjen e pensionit mbi bazën e kontributeve shtesë, ose një pagesë për çdo vit sigurimi pas daljes në pension.
Pensionistët e vetëpunësuar janë aktualisht të përjashtuar nga detyrimi. Afatet e reformës nuk janë bërë ende publike.




