INSTAT: Familja shqiptare shpenzon 95 mijë lekë në muaj, ushqimi merr 40%
Tirana shpenzon më shumë, Kukësi më pak; diferenca mes tyre është rreth 35 mijë lekë në muaj.

Një familje mesatare në Shqipëri shpenzoi gjatë vitit 2025 rreth 95,227 lekë në muaj për konsum, 2.3% më shumë se një vit më parë. Të dhënat vijnë nga anketa e INSTAT për buxhetin e familjeve, ku familja mesatare ka 3.1 anëtarë.
Ushqimi dhe pijet joalkoolike mbeten zëri më i madh: 37,859 lekë në muaj, ose pothuajse 40% e buxhetit. Brenda shportës ushqimore, perimet zënë një të pestën, mishi rreth 17%, dhe bulmeti me vezët rreth 15%.
Rritjen më të shpejtë e shënuan shpenzimet për argëtim dhe kulturë, me 10%. Transporti u rrit me 5%, ndërsa duhani dhe pijet alkoolike me 5.1%. Banesa me ujin, energjinë dhe qiranë merr pothuajse 10% të buxhetit, ndërsa restorantet dhe hotelet 7.5%.
Dallimet rajonale janë të mëdha. Në qarkun e Tiranës familjet shpenzojnë rreth 110,900 lekë në muaj, në Korçë 93,400 dhe në Durrës rreth 92,000 lekë. Në fund të listës janë Dibra, me rreth 77,000 lekë, dhe Kukësi, me rreth 76,000 lekë.




