Paketa fiskale 2027: Bizneset kërkojnë TVSH më të ulët dhe grante për teknologjinë
Buxheti i vitit të ardhshëm pritet të kalojë 10 miliardë euro dhe publikohet në fund të tetorit.

Bizneset kanë nisur t’i dorëzojnë qeverisë kërkesat për paketën fiskale të vitit 2027, që pritet të marrë formë në javët në vijim, bashkë me një buxhet mbi 10 miliardë euro.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon TVSH 5–7% për agropërpunimin, TVSH zero për plehrat kimike dhe përjashtim nga TVSH-ja në import për makineritë e industrisë dhe të energjisë. Ajo propozon gjithashtu lehtësira doganore për lëndët e para, rimbursim të akcizës për gazin dhe dyfishimin e normës së amortizimit për makineritë, nga 20% në 40%.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon që fitimet e riinvestuara në prodhim të përjashtohen nga tatimi, kontribute më të ulëta për punëdhënësit dhe një skemë grantesh për automatizimin dhe modernizimin.
Kërkesat vijnë në një kohë kur eksportet e manifakturës kanë rënë në 648 milionë euro në shtatë muaj, nga 703 milionë një vit më parë. Nuk dihet ende cilat prej tyre do të përfshihen në paketën e re.




