Fasoneritë në krizë: 150 njësi të mbyllura, punonjësit nga 65 në 40 mijë
Sipërmarrësit kërkojnë ulje të kostos së punës dhe të taksave doganore në Paketën Fiskale 2027.

Rreth 150 nga afro 700 fasoneritë anëtare të shoqatës “Manifaktura Shqiptare” janë mbyllur gjatë viteve të fundit. Sektori, që dikur punësonte rreth 65 mijë persona, sot ka rreth 40 mijë punonjës.
Shifrat u bënë të ditura në një takim të shoqatës me bizneset e tekstilit në qarkun e Elbasanit. Sipërmarrësit fajësojnë rënien e euros, rritjen e çmimit të naftës dhe kostot e prodhimit, që po dëmtojnë edhe marrëdhëniet me partnerët e huaj.
Për Paketën Fiskale 2027, shoqata propozon uljen e kostos së punës, rritjen e amortizimit fiskal, uljen e taksave doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar dhe një fond grantesh për teknologji dhe automatizim.




