Finlanda ndal përkohësisht punimet e Google për dy qendra të dhënash
Pjesë e investimit 13 miliardë euro të kompanisë; arsyeja: prerje pyjesh pa vlerësim mjedisor.

Autoritetet mjedisore në Finlandë urdhëruan pezullimin e punimeve në dy qendra të dhënash që Google po ndërton. Shkak u bë prerja e qindra hektarëve pyje dhe fakti që në njërin nga kantieret puna kishte nisur pa vlerësimin e detyrueshëm të ndikimit në mjedis.
Pezullimi vlen deri më 23 tetor dhe përfshin prerjen e pemëve, heqjen e shtresës së tokës, hapjen e rrugëve dhe ndryshimet në kanale. Google pranoi se këtë herë nuk i ka respektuar standardet e veta dhe tha se do të zbatojë udhëzimet e autoriteteve.
Punimet janë pjesë e një investimi prej 13 miliardë eurosh, që kompania e quan më të madhin e saj në Europë. Projekti përfshin edhe një kontratë 22-vjeçare me Fortum për energji nga centrali bërthamor i Loviisas.
Google vlerëson se ndërtimi në vitet 2027–2028 do të mbështesë mbi 37 mijë vende pune dhe do t’i shtojë ekonomisë finlandeze 3.6 miliardë euro. Klima e ftohtë dhe energjia me pak karbon e kanë bërë Finlandën destinacion të preferuar për këto objekte.




