Kalo te përmbajtja
E enjte, 22 Tetor, 2026
LAJMI I FUNDIT
Turizëm

Jalë: 8.5 milionë euro për kanalizimet dhe impiantin e ujërave të ndotura

Tenderi u hap nga UKV Vlorë me afat 18 muaj; sot shumica e objekteve përdorin gropa septike.

Nga supernews.al 13 Tetor, 202613.10.2026, 08:06
Jalë: 8.5 milionë euro për kanalizimet dhe impiantin e ujërave të ndotura

Zhvillimi i shpejtë turistik në Jalë po kërkon investime në infrastrukturë. Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë hapi më 12 tetor tenderin për një impiant trajtimi të ujërave të ndotura dhe rrjetin e kanalizimeve, me fond prej rreth 778.7 milionë lekësh pa TVSH, afërsisht 8.5 milionë euro.

Sot rrjeti i kanalizimeve në zonë është i paplotë. Shumica e ndërtesave, përfshirë hotelet dhe bizneset turistike, përdorin gropa septike. Në verë, kur numri i vizitorëve shumëfishohet, ka pasur raste derdhjesh të ujërave të ndotura në përrenj që përfundojnë në det.

Impianti është projektuar për 6,100 banorë, duke llogaritur edhe fluksin sezonal, ndonëse planet e zonës flasin për një kapacitet të ardhshëm rreth 8,400 banorë.

Punimet do të zgjasin 18 muaj dhe përfshijnë kolektorët kryesorë, pusetat dhe rehabilitimin e rrugëve të prekura, që objektet e reja të lidhen më vonë me sistemin qendror.