Kalo te përmbajtja
E enjte, 22 Tetor, 2026
LAJMI I FUNDIT
Financa

Banka e Shqipërisë bleu rekord 664 milionë euro në gjashtë muaj për të frenuar lekun

Vetëm në tremujorin e dytë blerjet u trefishuan; deficiti korrent ra në nivelin më të ulët që nga 2018.

Nga supernews.al 9 Tetor, 202609.10.2026, 19:40
Banka e Shqipërisë bleu rekord 664 milionë euro në gjashtë muaj për të frenuar lekun

Banka qendrore i ka shtuar ndjeshëm blerjet e euros në tregun e brendshëm. Në tremujorin e dytë bleu 524 milionë euro, 224% më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 143 milionë u blenë në ankandet e programuara për rezervën valutore dhe 381 milionë me blerje direkte.

Bashkë me rreth 140 milionë eurot e tremujorit të parë, blerjet e gjysmës së parë të vitit arritën 663.6 milionë euro, shumë rekord. Vetëm gjatë 2025-s banka kishte blerë mbi 1 miliard euro.

Pavarësisht ndërhyrjeve, euro shitet rreth 91.65 lekë, afër minimumit historik prej 91.4 lekësh të shtatorit. Që nga fillimi i vitit, monedha europiane ka humbur 5.3% ndaj lekut.

Në anën tjetër, deficiti i llogarisë korrente ra në 361 milionë euro, 40.6% më pak se një vit më parë, falë eksporteve të shërbimeve dhe remitancave. Investimet e huaja direkte arritën 1.14 miliardë euro në gjashtë muaj, kryesisht për shkak të një projekti të madh në pasuri të paluajtshme.