Eurostat: Leku, monedha që u forcua më shumë ndaj euros në 10 vite mes 40 valutave
Euro ka humbur rreth 32% të vlerës në tregun shqiptar që nga gushti i 2016-s.

Në gusht të vitit 2016 një euro blihej me 136.51 lekë. Në gusht të këtij viti kursi zyrtar ishte 92.78 lekë. Kjo do të thotë se euro ka humbur rreth 32% të vlerës ndaj lekut, forcimi më i madh mes 40 monedhave të analizuara nga Eurostat.
Asnjë valutë tjetër nuk i afrohet lekut. Franga zvicerane u forcua rreth 14% ndaj euros, korona çeke rreth 10.5% dhe dinari serb rreth 5%. Denari maqedonas mbeti pothuajse i pandryshuar, rreth 61.5 për euro.
Shumica e monedhave u dobësuan. Lira turke kaloi nga 3.32 në mbi 55 lira për euro, ndërsa dollari amerikan lëvizi lehtë, nga 1.12 në 1.16 dollarë për euro.
Eurostat mat vetëm ndryshimin e kursit, jo shkaqet. Ekonomistët e lidhin forcimin e lekut me rritjen e hyrjeve në valutë nga turizmi dhe remitancat, si dhe me fluksë të tjera, një pjesë e të cilave thuhet se kanë hyrë përmes sektorit të ndërtimit.




