KLSH: Ministria e Bujqësisë lejoi shitjen e 10 pesticideve të ndaluara në BE
Fermerët rrezikojnë që prodhimet e tyre të refuzohen në doganat evropiane.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstatoi në auditimin e Ministrisë së Bujqësisë për periudhën 2022–2024 se 10 pesticide të ndaluara në Bashkimin Evropian vijuan të shiteshin në farmacitë bujqësore.
Sipas raportit, shtatë biznese importuese u lejuan t’i shisnin këto produkte përtej afateve të BE-së. Për katër prej tyre, afati i tërheqjes nga tregu u zgjat deri në një vit më shumë se në Evropë.
KLSH vëren se ministria nuk ka një plan për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve të ndaluara. Ministria u përgjigj se kjo detyrë i takon Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe institucioneve të tjera.
Pasojat mund të jenë ekonomike: frutat dhe perimet e trajtuara me këto produkte rrezikojnë të refuzohen dhe të asgjësohen në doganat e vendeve të BE-së.




