Pagesa në sekonda, çdo ditë të vitit: Banka e Shqipërisë përgatit sistemin e ri 24/7
Transfertat në lekë dhe në euro nuk do të varen më nga orari i sporteleve apo nga fundjavat.

Banka e Shqipërisë po harton rregullat për një sistem kombëtar pagesash të menjëhershme, i cili do të lejojë transferimin e parave në lekë dhe në euro në çdo orë, edhe në fundjavë dhe në ditët e pushimit. Në dokumentet e projektit, infrastruktura njihet me emrin pune “TIPS Clone Albania”.
Banka qendrore do të jetë njëkohësisht pronare, administratore dhe operatore e sistemit. Paguesi do të marrë konfirmimin brenda pak sekondash, dhe kushti i vetëm për kryerjen e pagesës do të jetë gjendja e mjaftueshme në llogari.
Likuiditeti do të kalojë nga sistemet ekzistuese AIPS për lekun dhe AIPS EURO për euron, në intervale të përcaktuara. Standardi teknik do të ndjekë rregullat evropiane SEPA për transfertat e menjëhershme.
Në sistem mund të hyjnë bankat, por edhe institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike. Ato mund të lidhen direkt, me llogarinë e tyre të likuiditetit, ose në mënyrë të tërthortë përmes një banke tjetër. Kjo zgjidhje u lehtëson rrugën operatorëve më të vegjël. Kërkesat për anëtarësim do të marrin përgjigje brenda 10 ditëve pune, ndërsa data e nisjes do të caktohet pas testimeve teknike.




