Raiffeisen: Pagesat me kartë të regjistruara dy herë u korrigjuan
Banka thotë se problemi ishte teknik dhe se nuk pati ndërhyrje në sisteme apo rrjedhje të dhënash.

Raiffeisen Bank Shqipëri njoftoi se ka përfunduar korrigjimin e një problemi teknik që, më 4 tetor, bëri që një numër i kufizuar pagesash me karta të shfaqeshin dy herë në llogaritë e disa klientëve.
Sipas bankës, transaksionet e prekura u verifikuan një nga një dhe gjendjet e llogarive tani pasqyrojnë saktë fondet reale. Banka sqaroi se kontrollet nuk gjetën asnjë akses të paautorizuar, as komprometim të të dhënave të klientëve apo incident kibernetik.
Banka u kërkoi ndjesë klientëve dhe tha se ka marrë masa që situata të mos përsëritet. Ajo paralajmëroi gjithashtu se do të reagojë ndaj informacioneve të pavërteta që qarkullojnë në emër të saj.
Njoftimi nuk jep numrin e klientëve të prekur dhe as shumat e përfshira.




