Rregulla të reja për koncesionet dhe PPP-të, shfuqizohet vendimi i vitit 2013
Agjencia e Koncesioneve ka tre muaj për dokumentet standarde, që bëhen të detyrueshme për çdo institucion.

Qeveria miratoi një vendim të ri për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, që vendos rregulla të reja për vlerësimin e studimeve të fizibilitetit dhe për dhënien, ndryshimin dhe transferimin e kontratave.
Vendimi shfuqizon atë të 10 korrikut 2013, që rregullonte deri tani këtë fushë, dhe mbështetet te ligji i ri nr. 88/2025 për koncesionet dhe PPP-të. Propozimi erdhi nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve ka tre muaj nga hyrja në fuqi për të miratuar dokumentet standarde dhe për t’i dërguar ato për publikim në Agjencinë e Prokurimit Publik. Ajo do të hartojë edhe manuale shpjeguese.
Udhëzimet do të jenë të detyrueshme për të gjitha autoritetet kontraktore, qendrore dhe vendore. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.




