Shqipëria shpenzon për arsimin më pak se çdo vend tjetër në Europë: 3.1% e PBB-së
Për të arritur mesataren e BE-së, financimi duhet të rritet me rreth 55%.

Shpenzimet publike për arsimin në Shqipëri kanë mbetur pothuajse të ngrira për një dekadë: 3.1% e PBB-së në 2015 dhe rreth 3.2% dhjetë vite më vonë. Në 2024 niveli ishte 3.1%, ndërsa qeveritë e BE-së shpenzuan mesatarisht 4.7%, rreth 860 miliardë euro.
Diferenca prej 1.6 pikë përqindjeje do të thotë se Shqipërisë do t’i duhej të rriste fondet për shkollat dhe universitetet me rreth 55% për t’u barazuar me mesataren evropiane. Edhe në rajon vendi mbetet pas: Bosnja dhe Hercegovina shpenzon rreth 4% dhe Serbia 3.4%.
Përqindja e PBB-së nuk e tregon plotësisht hendekun. Meqë ekonomitë evropiane janë shumë më të mëdha për frymë, shuma që shpenzohet për çdo nxënës apo student atje është shumëfish më e lartë.
Analistët vërejnë se, ndërsa investimet në infrastrukturë fizike kanë qenë mbi 5% e PBB-së në vit, kapitali njerëzor ka marrë pak vëmendje, dhe ekonomia vazhdon të mbështetet në sektorë me paga dhe produktivitet të ulët.




