38% e familjeve nuk e ngrohin dot shtëpinë, niveli më i lartë në Europë
Raporti për Agjendën e Gjelbër: ulja e tarifës ndihmoi, por varfëria energjetike mbetet pa program të dedikuar.

Afërsisht 38 nga 100 familje shqiptare nuk arrijnë ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë. Ky përfundim del nga raporti i vitit 2026 për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili e vendos Shqipërinë në vendin e parë në Europë për varfërinë energjetike.
Raporti shton se 27% e popullsisë ka vështirësi të vazhdueshme për të paguar faturat e shërbimeve. Masa kryesore e vitit 2025 ishte ulja e tarifës për familjet që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj, nga 9.5 në 8.5 lekë për kilovatorë, nga e cila përfituan rreth 95% e 1.07 milionë kontratave familjare.
Sipas hartuesve, ulja e çmimit nuk e zgjidh problemin e strukturës. Shqipëria nuk ka ende një program që t’i drejtojë grantet për termoizolim, dritare apo sisteme ngrohjeje te familjet që e kanë më të vështirë.
Si shembull jepet Mali i Zi, ku deri në mars 2025 mbi 4,500 familje ishin përfshirë në masa efiçence, me grante deri në 10 mijë euro për familje dhe një fond total mbi 15 milionë euro. Raporti rekomandon që fondet për rinovim t’u shkojnë më shumë familjeve në nevojë, jo vetëm atyre që kanë mundësi të investojnë vetë.




