“Ekonomia e kafeneve”: Si turizmi e mbajti Greqinë në paga dhe produktivitet të ulët
Studimi i LSE: punësimi në hoteleri u rrit 87%, por vlera e shtuar vetëm 11%. Një mësim edhe për Shqipërinë.

Një studim i London School of Economics, i titulluar “The Café Economy”, analizon se si Greqia, pas programeve të shpëtimit financiar, u bë gjithnjë e më e varur nga turizmi, restorantet dhe akomodimi.
Sipas autorëve, ky model ndihmoi bilancin e jashtëm, por e mbajti ekonominë në produktivitet dhe paga të ulëta. Produktiviteti i punës ra 16% mes viteve 2009 dhe 2024, ndërsa pagat reale ranë 26–35%, e në turizëm deri në 60%.
Në periudhën 2009–2023 punësimi në hoteleri dhe shërbime ushqimore u rrit 87%, por vlera e shtuar në këtë sektor vetëm 11%. Mbi 86% e të diplomuarve të rinj që punojnë në turizëm janë në pozicione nën kualifikimin e tyre.
Studiuesit paralajmërojnë se pa politika që nxisin sektorët me vlerë të lartë dhe modernizimin teknologjik, “ekonomia e kafeneve” rrezikon të bëhet stagnim i përhershëm. Analistët e shohin këtë si paralajmërim edhe për ekonominë shqiptare, që po mbështetet gjithnjë e më shumë te turizmi.




